“Të Kryqëzohet” Ronela!


Nuk besoj të ketë veshje në Shqipëri dhe jashtë, që të jetë komentuar, sharë e mallkuar aq sa kjo e Ronelës. E gjitha filloi pas parakalimit të saj me setin fustan-xhaketë-kapele krijuar nga një stilist i quajtur Festim Isufi. Për herë të parë Festimin e kam parë të lokalizuar tek fotot e Niko Komanit me bustier. Ndërkohë në profilin zyrtar të Festimit, thuhet se ka kaluar muaj të tërë duke realizuar veshjen e Ronelës.

Diku më vonë ka reaguar ilustruesi i veshjes, Pedro Leopoldo, i cili komenton gjerësisht se i kanë marrë krijimin e tij pa e kredituar askund.

Vetë ai e ka krijuar skicën diku në vitin 2020, me shpresën se dikujt do t‘i bjerë në sy e do ta paguajnë për t’i marrë të drejtat e autorit. Ose për t’i huazuar krijimin, duke e kredituar në fund. Nuk duket se ka patur shumë popullaritet Pedro, deri në momentin e “incidentit” me palën shqiptare, ku shumë njerëz kanë vizituar punimet e tij ne rrjete sociale. Shumë i kanë shkruajtur “na vjen keq që të kopjuan”, disa pak më të ftohtë i kanë shkruajtur “Bravo Nikos dhe Festimit për marrjen e idesë”.


Por duket se nuk ka qenë e vetmja veshje e “huazuar“.


Tani, mbase Festimi nuk ka pasur ide, ose ka dashur t’i besojë idesë së një të huaji për realizimin e veshjeve. Në fund të fundit nuk është hera e parë që ne shkojmë në Eurovizion me veshje të kopjuara. Anxhela Peristeri kishte veshur të njëtën veshje si Jennifer Lopez në Super Bowl.


Pastaj, “kush është pa mëkat, le të hedhë gurin i pari!” Nuk është hera e parë që ne “frymëzohemi“ nga të jashtmit. Po pse vallë? Mbase kanë më shumë ide se sa ne. Mbase janë më të shkolluar se sa ne. Mbase kanë edhe imagjinatë më shumë se sa ne.

Të gjithë e kemi parë Ronelën këto ditë dhe e kemi “kryqëzuar“ me mend. Sepse nuk kemi kë dënojmë tjetër, sepse po të duheshin dënuar të gjithë ata që kopjojnë, nuk do ngelte njeri në këmbë. Sepse qoftë edhe një herë të vetme, të gjithë kemi vepruar si Festimi, Ronela, Niko, Anxhela etj.

1,176 views0 comments