Ndahet nga jeta në moshën 41 vjeçare dizajneri i Off-White, Virgil Abloh

Kur u shpall Virgil Abloh dizajneri i linjës së meshkujve për Louis Vuitton (nga 2018-2021), mund të kem qenë ndër entuziastet më të mëdha.
Lajmin për largimin nga jeta në moshën 41 vjeçare e bëri të ditur menaxheri i profilit zyrtar në Instagram. Shkruhej “Ai zgjodhi ta duronte betejën e tij privatisht që nga diagnoza e tij në 2019, duke iu nënshtruar trajtimeve të shumta sfiduese, të gjitha ndërsa drejtonte disa institucione të rëndësishme që përfshijnë modën, artin dhe kulturën.”

Virgil ishte krijues artistik dhe themelues i firmës Milaneze Off-White. Shumë nga krijimet e tij i mbajmë mend dhe i veshim ende. Ai punoi dhe me Kanye West si krijues për koleksione të ndryshme.
Abloh u lind në Rockford, Illinois, nga prindër, që emigruan nga Ghana. E ëma ishte rrobaqepse dhe i ati punonte në firmë bojërash. U diplomua për Inxhinieri dhe masterin e mbaroi për Arkitekturë.
Ndërsa punonte për një dyqan printimi, Custom Kings në Çikago, Abloh takoi Kanye West. Të dy filluan të praktikonin krijimtarinë e tyre në të njëjtën kohë për markën LVMH Fendi në 2009. Abloh tërhoqi vëmendjen e CEOs së atëhershëm të Fendi-t, Michael Burke, tani CEO i Louis Vuitton. “Virgil mund të krijonte një metaforë dhe një fjalor të ri për të përshkruar diçka kaq të vjetër si Fendi. Unë e kam ndjekur karrierën e tij që atëherë”, tha Burke më vonë për New York Times.
Pusho në paqe, artist!