Louis Vuitton e hapi sot sfilatën me veshjen e “gjyshit”



Nicolas Ghesquière, drejtori krijues i Louis Vuitton që prej 2013-tës, hapi sot sfilatën vjeshtë-dimër 2022-2023 me një prej veshjeve më të paparashikuara. Veshja e “gjyshit”, e cila përbëhet nga këmisha me jakë piramidë, kravatë të gjatë dhe të gjerë, triko ose xhaketë me supe të varura dhe pantallona me dy pala.

Bukur, apo jo?


Dizajneri francez i la të gjithë me gojë hapur (përfshi dhe mua), me ndërthurjet e xhaketës prej lëkure të ngurtë dhe kravatave mëndafshi. Tani, nuk dua t’ju them “jua kam thënë”, por thuajse në çdo artikull këshillues, një nga veshjet që kam sugjeruar ka qenë veshja mashkullore me kravatë. Epo mirë, Ghesquière e ka çuar në një nivel tjetër, novator siç di vetëm ai të jetë.

Ndërkohë që Demna i Balenciagës, i veshi modelet me jumpsuit të zi elastik dhe i mbështolli me shirit të verdhë plastik, ku shkruhej ”Balenciaga” (pa prit pak, plastikë?), Ghesquière punon me dizajnin e sofistikuar të lëkurës, duke harmonizuar copat e kundërta në përbërje. Shpalosi edhe një sezon tjetër se Louis Vuitton i meriton të gjitha duartokitjet dhe yjet në ballë. Mezi pres ta provoj!