Kam dy fjalë për veshjet e prezantueseve të emisioneve në Shqipëri



Ndërkohë që në Amerikë, Canada, Francë, Angli, Gjermani, Itali etj. po fitojnë gjithnjë e më shumë terren Youtube dhe Podcastet përkundrejt televizionit, në Shqipëri ende i ndjekim emisionet e zemrës. Ato më populloret janë ato të orëve të vona dhe emisionet e pasdites, me sa di unë. Mirë ose keq, laj e thaj, ato spikere qarkullojnë prej vitesh. Edhe këto televizione, që janë përpjekur të bëjnë ndryshim, thjesht ndryshon emri, se grimi është i njëjti dhe veshjet po ashtu.



Të gjitha veshjet (ose zhveshjet) e ekranit, shoqërohen rigorozisht me këpucët me majë, të ashtuquajtura “stiletto” nude ose të zeza. Teorikisht, ndërsa praktikisht janë ato këpucët “Made in China” ose “Made in Turkey”, me një takë të trashë, që e bën kaviljen të duket si trung peme (pa dashur të ofendoj askënd), maja (i thënçin) ka një formë trekëndëshi kënddrejtë, e për të mos folur për ngjyrën pastaj, e cila nuk është kurrë ajo nuanca “nude”, ose ngjyra e mishit.



Ndërkohë, përballë meje tani, jepet sfilata e Rick Owens, një nga krijuesit më novatorë sot për sot. Tani që flasim, po vihen në pah veshjet jashtë ndërtesës ku do bëhet sfilata. Nuk e di pse më vjen në mend krahasimi mes atyre që shohim në TV dhe atyre që po shoh sot këtu. Fatkeqësisht, vite dritë larg.