• Stela

E çara e fustanit të Armanit dhe e çara e vulgaritetit! Rekuiem për elegancën



Këto ditë në Dubai Giorgio Armani mblodhi artistët e tij të preferuar në hotelin e tij, me rastin e 10 vjetorit të hotelit. Më kujtoi rezistencën e këtij stilisti të elegancës e artistokracisë ndaj çdo trendi, që gratë nuk i bën të duken bukur, por që me përpjekjen për t’u dukur seksi rrezikojnë në vulgaritet.

Për këtë arsye dua të analizoj fustanin dhe odisenë e të çarës që kaloi limitet, dhe sigurisht vrau edhe bukurinë.

Prerjet vertikale, që i bëhen veshjeve, janë ndër truket më të vjetra të modës dhe dizajnit. Ato klasifikohen në penca, pala, tegela vertikal, zinxhirë, rresht kopsash, mansheta, jakë “V” etj. Të gjitha këto janë teknika të cilat ndihmojnë në zgjatjen e siluetës. Ndër to është dhe çarja vertikale që i bëhet fundit ose fustanit.




Diku rreth viteve ’50 filloi eksperimentimi me fundet dhe xhaketat me palë nga pas. Fillimisht ishte 5-7cm gjatësi çarjeje, e cila mund të kishte edhe palë. Na pëlqeu dhe e ngritëm prerjen edhe nja 5cm më lart. Gjithmonë brenda normave dhe standardeve të dizajnit. Nëpër zyra nuk mund t’i vishje, por darkave pse jo.



Në 2016-2017 Rani Zakhem (vjeshtë-dimër) solli fustanet e mbrëmjeve me të çarë deri në rrëzë të kofshës. Duke qenë se janë pjesë e koleksionit "Haute Couture", gjithçka është punuar me dorë deri në detaje. Copa nuk është aspak vulgare, nuk ka asnjë shtresë tyli kineze dhe as saten. Edhe pse ka një alamet të çare, nuk duket i ekzagjeruar. Seç ka një sofistikim kur e sheh, Angelina Jolie-s do t’i shkonte për mrekulli.



Po të më pyesnin mua, e çara perfekte e një fustani, u realizua nga mjeshtri Giorgio Armani në 2017-tën. Kishte një elegancë dhe sharm, kishte sensualitet dhe maturi. Gjithçka e realizuar më së miri, duke përshatur edhe copën me vetë dizajnin. Ishte arritur balanca e duhur mes pjesës së sipërme të jakës, dhe dekoltesë së fundit.



Sot fustani me të çarë nuk është më në modë. E megjithatë kjo nuk i pengon zonjat dhe zonjushat, vip-e ose jo, të shfaqen nëpër dasmat e shoqeve me fustane tyli, që kanë një alamet të çare deri tek apandesiti. Zakonisht janë tyli ose sateni nga ai i liri me shkëlqim. Janë fustane që bëhen me porosi, ku rrobaqepësi këshillohet ta thellojë dekoltenë mirë deri te kërthiza. Është i ngushtë, deri në vetëflijim. I çarë aq sa nuk shkon më. I tejdukshëm aq sa duket si lëkurë e dytë. Është vite dritë larg atij dizajnit fillestar dhe arsyes pse i bëjmë veshjet me dekolte. Në përpjekje për t'u dukur sensuale, duket demode.



Si shkuam vallë nga dizajni i Armanit deri tek ky sot?



**Marrë nga blogu në Tiranapost.al "Nën Lupën e Stela Sallakut"

47 views0 comments

Recent Posts

See All