Ditar nr. 1: Java e parë e Shtatorit 2022

Nuk e di pse këto kohë zgjohem e lodhur. Nënave që edhe punojnë full time edhe kujdesen për të vegjlit, duhet t’i dedikohet një lapidar madhështor. Cheers to them!


Si për shplarje nga rutina sistematike, hapa instagramin dhe rrjetet sociale. Që në fillim jave më doli një foto e Kim Kardashian, fotografuar për një nga revistat amerikane. Sfondi qe patriotik, me flamur e me yje. Kishte dekoloruar vetullat, bërë si albino njësoj si flokët. Po kush i vuri re te gjitha këto xhanëm, se vëmendjen e merrte një pjesë dominante e trupit. Ekspozuar mbi xhinse, ose pantallona, a kushedi ç'qenë se kush i pa.


Para dy a tre javësh më mbaroi kremi i trupit. Si për lehtësi dhe shpejtësi, mora Aquaphor-in, që i përdor djalit pas dushi. Ka shumë firma që trumpetohen si të mira, por unë kam ngelur tek ky. E provova vetë dhe rezultatet besoj i keni lexuar edhe tek artikulli paraardhës (Kremi, që sipas meje merr notën 10, kushton vetëm 15 dollarë).

Caudalie është gjithashtu shumë i mirë, sidomos aroma që ka është e pakrahasueshme, por më mbaron shumë shpejt. Edhe Sephora ka një krem trupi, që meriton më shumë vëmendje për cilësinë dhe çmimin.


Këtë kremin ma rekomandoi edhe fizioterapistja, që po merret me djalin. Në një nga javët e kaluara kur po i kushtonte vëmendje tërheqjes dhe shtrirjes së muskujve anësor të trupit, më rekonandoi t’i bëja masazh tek kofshët dhe shputat e këmbëve. Ndihmonte në qarkullimin e gjakut si dhe çlirimin e muskujve të kontraktuar. Me pak fjalë, SPA në shtëpi për të voglin!


gif


Eh, meqë na u kujtua SPA-ja, ç’më ka marrë malli për një banjo turke a një hammam! Apo thjesht një masazh me vajëra e me muzikë japoneze në sfond. Ju që jeni në Shqipëri tani, shfrytëzojini SPA-t dhe koncertet e Rita Orës me pak shpenzime. Erdhi dhe Dua Lipa në Houston, po pse kishe shans të gjeje bileta? Edhe po të të binte rasti të gjeje diçka online, ishe aq larg sa më mirë ta shihje në Youtube klipin e Duas.

Dua, Britania dhe gjithë bota në fakt, e mbyllën javën me ngushëllime për Mbretëreshën Elizabeth II. Ndërroi jetë në një prej kështjellave të saj, krejt e paqtë në moshën 96 vjeçare. Por lajm më të bujshëm bëri mosvajtja e Meghan Markle për t’i dhënë lamtumirën e fundit mbretëreshës. Tani mbret u bë Charles. Camilla është mbretëresha e re e Anglisë. Se di pse sa herë shoh Charlsin, më vjen në mend ajo shprehja “Një fshat të tërë trazoi, por mori atë që deshi!” Në vend të Camillës duhet të ishte Diana.